Search

Banorët e Dollnenit dhe Krushevës pritën funksionarët e lartë të BDI-së

Banorët e Llazhanit, mbrëmë pritën funksionarët e lartë partiak të BDI-së, ku bashkëbiseduan për gjendjen e vështirë ekonomike në fshat dhe në komunat e Dollnenit dhe Krushevës,  mosinteresimin e ekzekutivit për këtë rajon, si dhe për  gjendjen e rëndë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Kryetari i Këshillit mbikëqyrës të BDI-së Musa Xhaferi tha se për rajonin e Dollnenit ka pasur gjithmonë një respekt të veçantë, për arsye të largësisë nga vendbanimet tjera shqiptare si dhe për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Xhaferi tha se ekzekutivi aktual i BDI-së me Artan Grubin, nuk kanë lëvizur me gisht për Dollnenin dhe nuk jep llogari për të, si asnjëherë më parë. Xhaferi paralajmëroi se grupit të pakënaqur do t’i bashkëngjitet edhe kryetari i Komunës së Dollnenit Urim Ibeski, por tha se do të duhet të kalojë pak kohë.

Nënkryetari i BDI- së dhe deputet, Izet Mexhiti tha se nga këtu në Llazhanë midis banorëve të Dollnenit e Krushevës, pyet se pse këto zona janë harruar krejtësisht nga ky ekzekutiv. 

“Është lehtë të bësh politika të mëdha në Shkup e Tetovë, por këtu është tjetër gjendje, jeni më pak dhe keni nevojë për mbështetje, andaj duhet pyetur pse nuk vjen ekzekutivi të ju viziton, pse nuk vijnë deputetët e zonës Talat Xhaferi dhe Ismail Jaovski? Kemi ministra që nuk i donë as shpija, nuk i do Çairi as Shkupi, andaj takohen mes vete, me funksionarë, me këshilltarë me bodigarda, të cilët i detyrojnë të vijnë në këto takime, por asnjëherë me qytetarin, me votuesin”, tha Mexhiti.

Në Kuvend, shtoi Mexhiti po bëhet cirk, thanë se hynë Aleanca për të bërë 81 deputet, tani nuk e dinë a i kanë 61? Artan Grubi ende pa u krijuar qeveria e futi BDI-në në minus, më pak ministra, më pak zëvendësministra, më pak sekretarë shtetërorë, më pak drejtorë, tha Mexhiti.

Sekretari organizativ dhe kryetar i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti tha se fryma ofenduese e Artan Grubit dhe portaleve të tij ndaj bashkëpartiakëve dha rezultate dhe tani më çdo ditë BDI ka më pak pushtet. “Duhet vlerësuar mundi dhe investimi i çdo individi në BDI, unë e njoh këtë rajon sepse kam punuar shumë këndej dhe kam dhënë llogari për punën time, andaj edhe nga ky ekzekutiv kërkojmë të tregon pse s’ka bërë asgjë për Dollnenin dhe Krushevën”, tha Bexheti.

Bashkim Hasani tha se nga sot ndjehet edhe më rehat për të vazhduar aktivitetin, pasi që tanimë edhe në vepër shihet tjetërsimi i BDI-së, me vetë faktin që për të shpëtuar Artan Grubin, bëhet koalicion me ata që deri dje kanë sharë me farë e me fis gjithë BDI-në. “Aleanca për Shqiptarët shpëton me vetëdije Artan Grubin, pasi që e di se kështu e dobëson BDI-në”, tha Hasani.

Funksionarët e lartë të BDI-së, të cilët të ndikuar nga siç thonë ata, rezultatet katastrofale të ekzekutivit, filluan takimet me bazën muaj më parë, paralajmërojnë se takimet me qytetarët do t’i vazhdojnë edhe më tej në vendbanimet të ndryshme.

Треба да знаете
Последни објави